Keqtrajtimet më të mëdha i pësojnë të miturit, që mbijetojnë në vatrat e konfliktev në vende të ndryshme të botës.
Studimi ndër radhët e ekspertëve po bën bujë dhe rezultatet janë formuluar më se qartësisht: torturat fizike te të burgosurit japin të njëjtat pasoja afatgjata siç jep një përdhunim apo keqtrajtim fizik. 279 viktima të torturës dhe dhunës nga luftërat civile në ish-Jugosllavi janë marrë në shqyrtim nga një grup shkencor i udhëhequr nga psikologu Dr. Metin Basoglu i "University of London".
Vlerësimet që ata kanë dhënë në intervistat e tyre, flasin qartë për këtë fakt. A kanë qenë njerëzit e testuar nga psikologu viktima, apo i janë nënshtruar rregullisht manipulimit të qëllimshëm, presioneve dhe stresit të jashtëzakonshëm psikologjik, dhe a kanë vuajtur ata për vite të tëra më vonë nga pasojat e ngjashme e të forta afatgjate, siç dihet se ndodh zakonisht kur pëson dëmtime apo dhunime trupore e tortura fizike?
Edhe format më të padëmshme të presionit, si izolimi, cilësohen aty si të ngjashme me torturat e dhunimet fizike, shkruan Dr.Basoglu dhe kolegët e tij në revistën e specializuar që merret me probleme të psikologjisë e psikiatrisë "Archives of General Psychiatry". "Një ndryshim mes torturës dhe trajtimit poshtërues nuk është vetëm i pavlerë, por edhe i rrezikshëm", komenton ndër të tjera për revistën në fjalë psikologu Steven Milesm, profesor në Universitetin e Minnesota-s,.
Edhe në pasojat afatgjata psikike, shkencëtarët nuk kanë gjetur asnjë ndryshim thelbësor mes torturës fizike e asaj psikologjike. Para së gjithash, prishja apo ndërhyrja në ritmin e ciklin normal të një njeriu, siç është izolimi nga jeta e përditshme, pengimi i mundësive që një person të përfitojë lirisht nga mundësitë që i jep jeta, apo kërcënimet, ka pasur të njëjtat pasoja ashtu sikurse kanë viktimat e një dhunimi apo abuzimi fizik.
Të prekurit vuajnë me vite të tëra nën efektet e ashtuquajtura "shqetësime post traumatike": tmerri, ankthi, rikthimi i kujtimeve nga e kaluara e hidhur, apo shqetësimet gjatë gjumit. Të gjitha këto bëjnë pjesë në përditshmërinë e jetëve të tyre.
Edhe dhimbjet fizike në trupin e tyre, paniku apo humbja e ndërgjegjes, mund të dalin në pah aty.
"Rezultatet vlejnë edhe për fëmijët"
Rezultatet e reja, të përftuara nga ky studim, do të sjellin disi pështjellim në shpjegimin e rrezikshmërisë, në ato kategori njerëzish që gjenden në frontin e luftës kundër terrorizmit për shembull, e që e shohin torturën psikologjike si një mjet me pasoja gjithsesi shumë më të lehta se sa tortura fizike, kur marrin në pyetje të dyshuarit gjatë seancave të hetimit.
Përveç kësaj, ngrihet dhe pyetja nëse ashtu sikurse të rriturit në zonat e luftërave, edhe fëmijët në vendet e paqta të jenë prekur nga kjo lloj torture.
Sigurisht që Dr.Basoglu shpjegon, duke na demonstruar rezultatet e testimeve të tij, se ekipi i tij nuk ka dashur të përfshijë në këtë test fëmijët, por ka përmendur disa aspekte të studimit që të çojnë në këtë përfundim. "Ato mekanizma psikike që çojnë te të rriturit në trauma të vazhdueshme, mund të ndodhin ngjashmërish te fëmijët", thotë ai.
E në këtë mendim ai nuk është i vetëm. Që largimi nga ngrohtësia e vatrës shtëpiake, në zhargonin popullor cilësohet si privim, që paraqet në vetvete një formë të abuzimit me fëmijën, shumë specialistë e shohin si fakt të pranuar në mënyrë të mirëfilltë nga të gjithë. Rezultatet e studimit të Dr.Basoglu "u përkasin në mënyrë absolute edhe fëmijëve", thotë nga ana tjetër Ernst Pfeiffer, profesor për psikiatrinë e fëmijëve dhe të rinjve në klinikën "Charite" të Berlinit.
"Ka shumë dëshmi për këtë, të sjella nga grupe të tjera kërkimore. Këto forma të ‘mbingarkesës psikologjike‘ çojnë 30-50 për qind të fëmijëve në dëmtime afatgjata konjitive e psikiatrike".
Se sa shumë ndikon privimi nga një e drejtë e menduar gjerësisht në opinion për zhvillimin e mëvonshëm të një fëmije, këtë kanë dashur ndër të tjera ta shpjegojnë e ta studiojnë konkretisht edhe shkencëtarët në Universitetin e Nju-Jorkut.
Së bashku me kolegë të tjerë britanikë, ata kanë ndjekur zhvillimet e fëmijëve që janë rritur në kushte mizerabël në jetimoret e Rumanisë gjatë kohës së pushtetit komunist të Nicolae Ceausescu-t.
Pasojat edhe shumë vite pas traumave
Kështu rezulton se, megjithëse këta fëmijë janë adoptuar më pas nga familje perëndimore, kanë shfaqur edhe pas shtatë vitesh nga shkëputja prej terrenit ku kanë jetuar fillimisht mangësi të mëdha në zhvillimin mendor.
Në krahasim me shokët e tyre bashkëmoshatarë nga Evropa perëndimore, niveli i inteligjencës së tyre është vënë re se kapte 15 gradë më pak. Rezultatet në fjalë, të publikuara në revistën e specializuar "Child Development" qysh në muajin maj të vitit të shkuar, përputhen kësisoj me përfundimet e sjella nga Dr.Pfeiffer, pasi ata i shpjegojnë pasojat tek fëmijët pas shumë vitesh me privimet që u janë bërë në kohën e hershme.
Ky efekt shfaqej thuajse te të gjithë ata të cilët në moshën nga 6 deri në 42 muaj i ishin nënshtruar stresit (fatkeqësisë) së qëndrimit në shtëpitë e jetimëve të periudhës diktatoriale.
Nga pikëpamja e një psikologu fëmijësh dhe studiuesi social, fusha e torturës psikologjike e emocionale është thuajse e parrahur mirë në terren, thekson një specialist tjetër i kësaj fushe, Heinz Kindler, i Institutit Gjerman për Problemet Rinore (DJI): "Te keqtrajtimet psikike me distancë, kemi shumë më pak informacione e të dhëna për fëmijët e prekur, të paktën në ato raste kur keqtrajtimi psikik del qartë si një formë eksplicite".
Se sa shpejt prindërit, shpesh pa marrë vesh fare nga kjo punë, e keqtrajtojnë në mënyrë psikike dhe emocionale krijesën që ata vetë kanë sjellë në jetë, e sqaron më së miri vështrimi mbi definicionin shkencor të këtij nocioni.
Edhe përsëritja e kërcënimeve dhe presioneve, kritikat e vazhdueshme, apo dhe refuzimi që u bëjnë fëmijëve, futen në këtë kategori. Edhe parapëlqimi që ata u bëjnë fëmijëve të tyre, duke veçuar për shembull vëllain më të vogël, apo atë më të madh, djalin apo vajzën, "dëmton një zhvillim të shëndetshëm shpirtëror e mendor te fëmijët", thuhet më tej në prononcimin e tij.
Për specialistë si Pfeiffer, një aspekt tjetër është më i rëndësishëm për t‘u mbajtur parasysh.
Përveç shqetësimeve, në zhvillimin e fëmijëve presionet psikologjike dhe emocionale shkaktojnë, sipas shkallës së tyre, edhe pasoja me kosto ekonomike e sociale. Në rastet ekstreme dërgim në psikiatri, apo mbyllje të të rinjve në vetvete. Gjithçka është e mundur në këtë kontekst, nëse fëmijëve u duhet ta nisin jetën si viktima të torturës psikologjike.