Mir Se Vini Ne Kosova-Crew
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.


Kosova-Crew
 
ForumPortaliLatest imagesRegjistrohuidentifikimiInformacioni përtej materies Xat_chat

 

 Informacioni përtej materies

Shko poshtë 
AutoriMesazh
dj_cobr4
S.Moderator
S.Moderator
dj_cobr4


Numri i postimeve : 289
Registration date : 28/10/2008

Informacioni përtej materies Empty
MesazhTitulli: Informacioni përtej materies   Informacioni përtej materies Icon_minitimeMon Nov 10, 2008 3:01 pm

Informacioni përtej materies


Informacioni... Ky koncept sot ka shumë më tepër kuptim sec kishte madje edhe gjysëm shekulli më parë. Shkencëtarët po zhvillojnë teori për të përkufizuar informacionin. Shkencat shoqërore flasin për "epokën e informacionit". Informacioni po bëhet një koncept shumë i rëndësishëm për njerëzimin.

Zbulimi i informacionit në zanafillën e të dyjave: gjithësisë dhe vetë jetës, është ajo që e bën këtë koncept kaq të rëndësishëm në botën moderne. Shkencëtarët sot po e kuptojnë se gjithësia është e përbërë nga "lënda (materia), energjia dhe informacioni" dhe kjo teori po zëvendëson filozofinë materialiste të shekullit të nëntëmbëdhjetë, e cila e përcaktonte gjithësinë si të përbërë vetëm nga "lënda dhe energjia".
Pra, çfarë do të thotë e gjithë kjo?

Le ta sqarojmë me një shembull, me atë të ADN-së. Të gjitha qelizat e gjalla funksionojnë në bazë të informacionit gjenetik në strukturën helikoidale dyjare të ADN-së. Trupat tanë gjithashtu janë të ndërtuar prej triliona qelizash, secila prej tyre me ADN-në përkatëse, dhe të gjitha karakteristikat e trupave tanë janë të regjistruar në këtë molekulë gjigande. Qelizat tona përdorin programet proteinike të regjistruara në ADN për të prodhuar proteina të reja. Informacioni që zotëron ADN-ja jonë është aq i shumtë, saqë po të donim ta shkruanim atë do të mbushte faqet e 900 vëllimeve të një enciklopedie.
Atëherë, nga se përbëhet ADN-ja? Pesëdhjetë vjet më parë, shkencëtarët do të ishin përgjigjur se ADN-ja përbëhet nga acide nukleike të quajtura nukleotide dhe lidhje kimike, që i mbajnë këto nukleotide të bashkuara. Me fjalë të tjera, ata zakonisht rreshtonin vetëm përbërësit materialë të ADN-së. Por sot, shkencëtarët kanë një përgjigje tjetër; ADN-ja përbëhet nga atome, molekula, lidhje kimike dhe, më e rëndësishmja, nga informacioni.

Është tamam si një libër. Do ta kishim shumë gabim po të thonim se një libër përbëhet vetëm nga letra, boja dhe materiali lidhës, sepse përveç këtyre materialeve, është informacioni që e bën atë me të vërtetë një libër. Është informacioni ai i cili e dallon një volum të Enciklopedisë Britanike nga një "libër" i formuar nga shkronja të renditura rastësisht, si psh. ABICLDIXXGGSDLL.

Të dy kanë letër, bojë dhe lidhës, por njëri ka informacion, kurse tjetri jo. Burimi i informacionit është autori i librit, i cili zotëron inteligjencë dhe vetëdije. Mohimi i këtij fakti do te ishte i pavend, sepse informacioni është vendosur në ADN nga një qenie inteligjente.

Informacioni - Fundi i Pashmangshëm i Teorisë së Evolucionit dhe i Materializmit

Zbulimi i këtij fakti i ka sjellë një fund të pashmangshëm filozofisë materialiste dhe Darvinizmit, zbatimit të saj në shkencat e natyrës, sepse filozofia materialiste pretendon se të gjitha qeniet e gjalla përbëhen vetëm nga materia dhe se informacioni gjenetik u shfaq në një farë mënyre "rastësisht". Kjo është njëlloj si të thuash se një libër mund të formohet nga një bashkim i rastësishëm i letrës me bojën.

Materializmi është pasues i teorisë së "thjeshtëzimit", e cila pretendon se informacioni mund të thjeshtëzohet përfundimisht në materie. Për këtë arsye materialistët thonë se nuk është nevoja të kërkosh për ndonjë burim informacioni përveç materies. Por ky pretendim është provuar të jetë i gabuar, edhe materialistët madje kanë filluar ta pranojnë këtë të vërtetë.

Një nga mbrojtësit kryesor të teorisë së evolucionit, George C. Williams, ka vënë në dukje në një shkrim të vitit 1995 gabimin e materializmit (thjeshtëzimit), që është pretendimi se gjithçka përbëhet prej lëndës:

Biologët evolucionistë s'ia kanë dalë mbanë të kuptojnë se ata merren me dy fusha që pak a shumë nuk mund të maten me njëra-tjetrën: atë të informacionit dhe atë të materies. Këto dy fusha nuk do të bashkohen kurrë me njëra-tjetrën në ndonjë lloj mënyre që zakonisht nënkuptohet nga termi "thjeshtëzim"... Gjenet janë pako me informacione, jo thjesht objekte... Në biologji, kur flitet për gjenet dhe gjenotipet dhe grupgjenet, flitet për informacion, jo për realitetin objektiv fizik... Kjo mungesë e përshkruesve të përbashkët e bën materien dhe informacionin, dy zona të veçuara të ekzistencës, të cilat duhet të diskutohen të pavarura nga njëra-tjetra, me termat e veçanta të secilës.

Stephen C. Meyer, një filozof i shkencës në Universitetin e Kembrixhit (Cambridge Univer-sity), i cili e kritikon teorinë e evolucionit dhe materializmin, thotë në një intervistë:

Një nga gjërat që bëj kur jap mësim, për t'ua përcuar këtë ide studentëve, është që t'u tregoj dy disqe kompjuteri. Njëri është i mbushur plot me programe (software), ndërsa tjetri është bosh. Dhe i pyes: "Për shkak të përmbajtjes së ndryshme të informacionit, a ka ndonjë ndryshim në peshë ndërmjet këtyre dy disqeve të kompjuterit?" Dhe natyrisht përgjigja është JO; nuk ka asnjë ndryshim për shkak të informacionit që ata mbajnë. Kjo vjen për shkak se informacioni është një madhësi pa peshë. Informacioni nuk është dicka materiale.

Atëherë si mund të shpjegohet prejardhja e tij, e parë nga këndvështrimi materialist? Kjo krijon një vështirësi themelore për skenaret materialiste të evolucionit.

Në shekullin e 19-të ne mendonim se kishte dy njësi themelore të shkencës: lënda dhe energjia. Tani në fillim të shekullit të 21-të ne pranojmë se ka edhe një njësi themelore të tretë, dhe ky është informacioni. Ai nuk mund të thjeshtohet në lëndë; nuk mund të thjeshtohet në energji.

Të gjitha teoritë që u nxorën në shekullin e 20-të për të thjeshtuar informacionin në materie - si prejardhja e rastësishme e jetës, vetorganizimi i materies, teoria biologjike e evolucionit që është përpjekur të shpjegojë informacionin gjenetik të llojeve nëpërmjet mutacioneve (ndryshimeve të rastësishme) dhe përzgjedhjes natyrore - kanë dështuar. Profesori Phillip Johnson, një nga kriti-kët më të njohur të Darvinizmit, ka shkruar:

Dyanshmëria e vërtetë në çdo nivel të biologjisë, është dyanshmëria e materies dhe informacionit. Filozofët e shkencës së mendjes nuk arrijnë ta kuptojnë natyrën e vërtetë të informacionit sepse ata supozojnë se ajo është prodhuar nga një proces material (sipas këndvështrimit darvinist) dhe kështu që nuk është dicka thelbësisht e ndryshme nga materia. Por ky është thjesht një paragjykim që do të shkundej nga një gjykim i pa-anshëm.

Johnson vazhdon më tej: "Informacioni nuk është materie, edhe pse është i stampuar në materie. Ai vjen prej diku tjetër, prej një projektimi inteligjent..." Dr. Werner Gitt, një drejtues dhe profesor i Institutit Federal Gjerman të Fizikës dhe Teknologjisë, ka shprehur pothuajse të njëjtin mendim:

Një sistem kodimi (që regjistron dhe dëshifron informacion) gjithmonë është i lidhur me një proces të ndërgjegjshëm jomaterial. Një lëndë materiale nuk mund të prodhojë ndonjë kod (kombinim) që përmban informacion. Në të gjitha rastet vihet re se çdo pjesë informacioni e krijuar, është si pasojë e një procesi të ndërgjegjshëm, burimi i së cilës mund të gjendet te një ideator, i cili ushtron vullnetin e tij të lirë, dhe i cili zotëron inteligjencë... Nuk njihet asnjë ligj në natyrë, asnjë proces dhe asnjë vijimësi ngjarjesh, të cilat bëjnë të mundur që informacioni të krijohet vetvetiu në materie...

Sic e thamë më lart, një libër është i përbërë prej letrës, bojës dhe prej informacionit që ai përmban. Burimi i këtij informacioni është mendja e autorit.

Le të sqarojmë edhe një pikë tjetër të rëndësi-shme: Kjo mendje ka përparësi ndaj përbërësve materialë dhe ajo vendos si t'i përdorë ata. Një libër shfaqet fillimisht në mendjen e atij që do ta shkruajë atë, pra të shkrimtarit. Autori bën lidhje logjike dhe krijon fjali. Pastaj, në fazën e dytë, ai u jep këtyre mendimeve një trajtë materiale. Duke përdorur një makinë shkrimi ose një kompjuter, ai e shndërron informacionin që ndodhet brenda mendjes së tij në shkronja. Më vonë këto shkronja printohen në një shtypshkronjë dhe kështu libri merr formën e tij të plotë.
Pra, ne mund të arrijmë në këtë përfundim: "Nëse materia përmban informacion, atëherë kjo materie ka qënë organizuar që më parë nga një mendje që e ka patur këtë informacion. Pikënisja pra është një mendje, dhe pastaj zotëruesi i kësaj mendjeje e ka kthyer këtë informacion në materie, duke krijuar kështu nëpërmjet një skicimi.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
dj_cobr4
S.Moderator
S.Moderator
dj_cobr4


Numri i postimeve : 289
Registration date : 28/10/2008

Informacioni përtej materies Empty
MesazhTitulli: Re: Informacioni përtej materies   Informacioni përtej materies Icon_minitimeMon Nov 10, 2008 3:02 pm

Mendja që ishte Përpara Materies

Pra, burimi i informacionit në natyrë nuk mund të jetë vetë lënda, sic thonë materialistët. Burimi i informacionit nuk është materie, por një Mendje që qëndron mbi materien. Kjo Mendje ka qenë përpara materies. Ishte kjo Mendje e cila krijoi, formësoi dhe organizoi të gjithë materien në univers. Biologjia nuk është e vetmja degë e shkencës që na çon në këtë përfundim.

Astronomia dhe fizika e shekullit të 20-të gjithashtu kanë treguar se ekziston një harmoni dhe projektim që të lë pa mend, duke treguar se ka një Mendje që ka qenë përpara gjithësisë dhe që e ka krijuar atë.

Shkencëtari izraelit Gerald Schroeder, i cili ka studiuar fizikë dhe biologji në universitete si Instituti i Teknologjisë në Masaçuset (Massachusetts Institute of Technology - MIT), dhe autor i librit "Shkenca e Zotit", bën disa vërejtje të rëndësishme në lidhje me këtë çështje. Në librin e tij të ri të titulluar "Ana e Fshehtë e Zotit: Shkenca Zbulon të Vërtetën Përfundimtare", ai sqaron përfundimin e arritur nga biologjia molekulare dhe fizika kuantike si më poshtë:

Një vetëdije unike, një urtësi absolute, mbizotëron në gjithësi. Zbulimet e shkencës, të cilat hulumtojnë rreth natyrës kuantike të materies nënatomike, na kanë bërë të kuptojmë dicka që të lë pa mend: gjithçka që ekziston është shprehje e kësaj urtësie. Në laborator ne e përjetojmë atë si informacion që në fillim u shpreh fizikisht si energji dhe më pas u shndërrua në formën e lëndës. Çdo grimcë, çdo qenie, që nga atomi deri te njeriu, duket se paraqet një nivel të caktuar informacioni dhe urtësie.

Sipas Schroeder-it, rezultatet shkencore të kohës sonë udhëheqin shkencën dhe teologjinë drejt pikë-takimit në një të vërtetë të përbashkët. Kjo është e vërteta e Krijimit. Shkenca tani po e rizbulon këtë të vërtetë, të cilën fetë hyjnore ua kanë mësuar njerëzve për miliona vjet.

"Libri i Ruajtur"

Deri tani kemi parë përfundimet e shkencës rreth gjithësisë dhe zanafillës së qenieve të gjalla. Përfundimi është se i gjithë universi dhe çdo gjë e gjallë, u krijuan në saj të një projektimi prej informacionit madhështor që ekzistonte që më parë.

Ky përfundim i arritur nga shkenca moderne përputhet në mënyrë të habitshme me një të fshehtë që është shpallur në Kuran rreth 14 shekuj më parë. Në Kuran - një libër që është dërguar si mëshirë e udhëzim për mbarë njerëzimin - Zoti lajmëroi se Léuhi Mahfúdh, (Libri i Ruajtur) ka ekzistuar përpara krijimit të gjithësisë dhe për më tepër, në të kanë qenë të sqaruara gjithçka rreth krijimit dhe rreth ngjarjeve që do të ndodhin në gjithësi.

Leuhi Mahfudh është "i ruajtur" (nga arabishtja - mahfudh), kështu që gjërat e shkruara në të nuk janë ndryshuar apo dëmtuar. Në Kuran ai është quajtur "Ummu el-Kitabi" (Nëna e Librit), "Kitabun Hafidhun" (Libri që Ruan Gjithçka), "Kitabin Meknunin" (Libri i Ruajtur Mirë) ose thjesht, Libri. Quhet gjithashtu edhe "Kitabin min Kabli" (Libri i së Ardhmes) meqë ai tregon edhe për ngjarjet të cilat do të ndodhin në të ardhmen.
Në shumë vargje, Zoti tregon për veçoritë e Leuhi Mahfudh. Para së gjithash, nuk ka gjë që të mos jetë shënuar në këtë libër:

Çelësat e të Fshehtave janë nën zotërimin e Tij. Asnjë nuk i di ato veç Tij. Ai di për gjithçka që gjendet në tokë e në det. Asnjë gjeth nuk bie pa dijeninë e Tij. Nuk ka farë (që mbin) në errësirën e tokës, dhe asgjë të njomë apo të thatë që të mos jetë në një Libër të Qartë. {Kuran, 6:59}

Një varg thotë se e çdo gjë e gjallë në botë është e regjistruar në Leuhi Mahfudh:

Nuk ka krijesë që zvarritet mbi tokë ose krijesë që fluturon me krahë, që nuk janë të grupuar siç jeni ju vetë. Nuk kemi lënë asgjë mangut prej Librit. E më pas ato do të kthehen te Zoti i tyre. {Kuran, 6:38}

Në një varg tjetër thuhet se "në tokë dhe në qiej", në të gjithë universin, të gjitha krijesat, përfshirë edhe grimcën më të vogël, Zoti di gjithëçka për ato dhe ky informacion gjendet i regjistruar në Leuhi Mahfudh:

Ju nuk merreni me ndonjë çështje ose këndoni diçka prej Kuranit ose bëni ndonjë veprim dhe Ne të mos jemi dëshmitarë ndërkohë që ju jeni të zënë me të. As edhe grimca më e vogël nuk i shpëton Zotit tënd, qoftë në tokë apo në qiell. Dhe nuk ka ndonjë gjë më të vogël, apo më të madhe se ajo, që të mos jetë shënuar në një Libër të Qartë. {Kuran, 10:61}

Gjithë informacioni lidhur me njerëzimin është në Leuhi Mahfudh, dhe ai përfshin kodin gjenetik të të gjithë njerëzve dhe fatet e tyre:
E megjithatë njerëzit u habitën shumë që Zoti u dërgoi një profet nga mesi i tyre, dhe ata që nuk besuan thanë:

"Ç'gjë e jashtëzakonshme! Kur ne të jemi të vdekur dhe të bërë pluhur e hi (do të kthehemi përsëri në jetë)? Ky kthim do të ishte i pamundshëm!" Por Ne e dimë me saktësi se si i tret toka ata. Ne zotërojmë një Libër në të cilin ruhet gjithçka. {Kuran, 50:2-4}

Vargu i mëposhtëm thotë se fjalët e Zotit në Leuhi Mahfudh janë pa fund, dhe kjo është sqaruar me anë të një shembulli:

Sikur të gjitha pemët në tokë të ishin lapsa, dhe i gjithë deti, dhe shtatë dete të tjerë përveç tij, të ishin bojë, përsëri fjalët e Zotit nuk do të mbaronin. Zoti është i Gjithfuqishëm, i Urtë.
{Kuran, 31:27}

Përfundim

Faktet që shtjelluam më lart tregojnë edhe një herë se zbulimet e shkencës moderne përforcojnë atë që feja u mëson njerëzve. Dogma materialiste që i është imponuar shkencës, me pa të drejtë, në fakt, hidhet poshtë nga vetë shkenca.

Përfundimet e shkencës moderne rreth informacionit shërbejnë për të treguar objektivisht se kush ka të drejtë në një mosmarrveshje që ka zgjatur me mijëra vjet. Kjo mosmarrveshje ka qenë ndërmjet mendimit materialist dhe fesë. Mendimi materialist pretendon se materia është pa fillim dhe se asgjë nuk ka ekzistuar përpara saj. Feja, nga ana tjetër, thotë se Zoti ka ekzistuar përpara materies, dhe se materia është krijuar dhe sundohet prej diturisë së pafund të Zotit.

Fakti që kjo e vërtetë, që na kanë mësuar fetë hyjnore si Judaizmi, Kristianizmi dhe Islami qysh prej fillimit të historisë - e vërtetuar nga zbulimet shkencore - është një tregues i epokës post-ateiste që ka filluar. Njerëzimi po e kupton gjithnjë e më tepër se Zoti ekziston me të vërtetë dhe se Ai është i Gjithëditur. Kjo u përkujtohet njerëzve në Kuran në vargun e mëposhtëm:

A nuk e dini se Zoti di gjithçka që ekziston në qiell e në tokë? Kjo gjendet e shënuar në një Libër, e kjo është mjaft e lehtë për Zotin.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Informacioni përtej materies
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Mir Se Vini Ne Kosova-Crew :: Mesimet :: Mesime te tjera-
Kërce tek: